Juventus surprizon Fiorentinën në merkato

Hamed Traore duhet të ishte një futbollist i Fiorentinës që në muajin janar, por klubi vjollcë neglizhoi dhe nuk dorëzoi brenda datës 31 dokumentacionin e transferimit nga Empoli, në zyrat e Ligës.

Palët patën nënshkruar marrëveshjen e transferimit të futbollistit te Fiorentina, por Traore do të mbetej pjesë e Empolit deri në fund të sezonit, për t’u bashkuar me vjollcët këtë verë.

Por presidenti i Empolit, Fabrizio Corsi anuloi shitjen dhe përfitoi nga fakti që kontrata e janarit zhvlerësohej, duke qenë se nuk ishte depozituar në Ligë, ndërsa tashmë mesfushori do të kalojë te klubi i Juventusit.

Ka qenë vetë numri një i toskanëve, që në një deklaratë për mediat tha se ka arritur marrëveshjen me klubin bardhezi, për transferimin e 20-vjeçarit dhe se ka mbetur vetëm firmosja e kontratës.

“Kemi një marrëveshje totale me Juventusin, që do të paguajë 15 milionë euro për Traore. Së shpejti drejtuesit tanë do të ulen, për të nënshkruar edhe letrat, por mund të them se nga ky operacion jemi të kënaqur të dy klubet dhe vetë mesfushori”, tha Corsi.
Burimi: Supersport.al